A është momenti për një ringritje të kriptomonedhave?

A është momenti për një ringritje të kriptomonedhave?

Posted on June 24, 2022 by Vial

Gjatë 7 muajve të fundit kriptomonedhat kanë humbur mbi 2 Trilion dollarë në vlerë dhe tani tregtohen nën vlerën e 1 trilion dollarëve. Ecuria e ngjarjeve të tregut të kriptomonedhave do të tregohet në mënyrë kronologjike, duke filluar me periudhën e cila ndihmoi në fillimin e rritjes së cmimit të kriptomonedhave; çfarë e bëri atë të ndalonte, nisja e një rënie të cmimeve dhe cfarë na pret në të ardhmen.

COVID-19

Në periudhën e shpalljes së COVID-19 si pandemi globale nga Organizata Botërore e Shëndetësisë të gjitha tregjet u rrëzuan, së bashku me ta edhe tregu i kriptomonedhave.

Me përhapjen e pandemisë u morrën masa për të minimizuar dëmtimet shëndetësore. Një prej këtyre masave ishte mbyllja e bizneseve dhe kufizimi i liridaljes së cdo personi. Dëmi ekonomik që u shkaktua për shkak të papunësisë dhe uljes së të ardhurave ishte shumë i rëndë.

Natyrisht, Rezerva Federale (FED) ndërhyri për të shpëtuar situatën duke njoftuar ‘printimin’ e parave për blerjen e aseteve te cilat ishin në pikjatëduke sjellë edhe rimëkëmbjen e tregjeve. U pa që FED nuk po blinte Bitcoin ose ndonjë kriptomonedhë, por ishin investitorët ata që u ndjen të rrezikuar, kështu që u hodhën në botën e kriptomonedhave, duke pasur parasysh se paraqet rreziqe dhe shpërblimet më të larta. Investimet e bëra ndihmuan në rritjen e çmimit të Bitcoin nga 4,000 dollarë në 69,000 dollarë, ETH nga 80 në 4,900 dollarë, si dhe rritjen e çmimeve të shumë kriptomonedhave të tjera.

Dita kur gjithçka ndaloi

Pasi politikat e ndjekura ndihmuan të gjitha tregjet të rimëkëmbeshin, veçanërisht S&P500 me +112%, kishte ardhur koha për t’u marrë me një problem madhor të shkaktuar nga politikat e ndjekura nga FED, inflacionin. Më 3 nëntor 2021, Rezerva Federale njoftoi se do të fillonte të zvogëlonte blerjet e aseteve mujore të cilat zbritën nga 120 miliardë dollarë në 0 dollarë në muaj. Kjo bëri që investitorët të investonin më shumë dhe tregjet nisën udhëtimin e tyre për të shënuar majat.

Por cfarë ndodhi me Kriptomonedhat?

Politikat makroekonomike për të ‘neutralizuar’ inflacionin, shkaktuan dhe po vazhdojnë të shkaktojnë problemet kryesore në çmimet e kriptomonedhave. Kriptomonedhat kanë pasur rënie me të paktën 80% që nga çmimet e tyre më të larta. Kjo gjendje solli edhe rrënien masive të kriptomonedhave si LUNA, e cila fshiu 50 miliardë dollarë nga tregu. Kohët e fundit Celsius Network ka hasur vështirësi sipas keqmenaxhimin të fondeve të klientëve gjithashtu kemi parë fondet e investimeve si 3AC të kenë probleme në treg. Të gjitha këto janë pasojë e frikës dhe pasigurisë së investitorëve, tërheqjet dhe shitjet masive nga ana e tyre si dhe likuidimeve në treg. Duke qënë se gjithë ky presion po vazhdon ta ul çmimin e kritomonedhave lind pyetja: “ Për sa kohë do të vazhdojë kjo gjendje për tregun e kriptomonedhave?”

Korrelacioni aktual me tregjet tradicionale është ai që e bën këtë stad të tregut të kriptomonedhave të ndryshëm nga rrëzimi i tregut të vitit 2018. Duke parë gjendjen aktuale dhe kushtet ekonomike që po favorizojnë këtë treg mund të dalim në përfundimin se kjo situatë mund të vazhdojë deri në fund të këtij viti, por gjithcka do të marrë një pamje më të qartë gjatë këtyre muajve të ardhshëm përmes politikave që FED do të ndjekë. Ka të ngjarë që të gjendemi në një trend të mërzitshëm për pjesën e mbetur të verës dhe njerëzit që blejnë sot mund të përfundojnë duke mbyllur pozicionet e tyre nga mërzia dhe dyshimi përpara se tregu të rimëkëmbet. Rruga më e sigurt (pak më pak e dobishme) është duke pritur për një sinjal të qartë nga FED në lidhje me lehtësimin e presionit i cili ka lënë investitorët në pritje që BTC si kriptomonedha më e madhe në treg të arrijë 10,000 dollarë, por sesa realist mund të jetë ky çmim dhe a mund të arrihet ndonjëherë mbetet në pikëpyetje.

Një rënie e çmimit drejt nivelit 10,000$ ose më poshtë do të rezultonte fatal për tregun pasi do të përfundonte në shkallë të gjerë shitjeje dhe likuidimi e cila do ta shtynte çmimin më poshtë. Sipas analizave gjëndja aktuale e ekonomisë do e çojë tregun drejt një faze konsolidimi nga e cila mund të përballemi me një rritje të çmimeve për një periudhë afatshkurtër, e cila do të krijojë mundësi likuidimi në treg. Pas kësaj mund të shohim një periudhë rënie të BTC deri në zonën 12,000-13,000$, por sa kohë do të marrë kjo lëvizje e çmimit për të ndodhur nuk mund të jepet një përgjigje e saktë, vetëm dihet se kjo ndodhi mund të jetë shumë afër.

E ardhmja e kriptomonedhave

Tani që kemi vështruar momentet kyçe të rrugëtimit të kriptomonedhave, le të hedhim një vështrim në të ardhmen dhe çfarë ka rezervuar ajo për ne.

“Sistemi i ri revolucionar financiar” po tregtohet nën 1 trilion dollarë. Kur këto presione të cilat po ndikojnë në çmime të lirohen, tregu i kriptomonedhave do të shohë dritë përsëri. Bota e kriptomonedhave, shumë pak ka ndryshuar, njerëzit vazhdojnë të ndërtojnë projektet e tyre për një të nesërme më të mirë pavarësisht gjëndjes së tregut. Ky stad në të cilin ndodhet tregu sot fshin shumë projekte që mund të jenë të dobëta ose vetëm një mashtrim, gjë që na tregon ne një pamje më të qartë të projekteve të qëndrueshme dhe që janë të destinuar të jenë fituesit e ardhshëm të cilët do të riparojnë sistemin e prishur TradFi, gabimet e të cilit po i hasim aktualisht.

Sot, jemi ende herët në adoptimin masiv. Kjo sepse kriptomonedhat janë ende në ndërtim e sipër, prova e konceptit (Bitcoin) është e plotë dhe tani po ndërtohen shtresat bazë të infrastrukturës duke i lidhur ato së bashku për të ndihmuar produktin përfundimtar (shtresa e aplikimit) të lulëzojë. Kur të ndërtohen të tre elementët, atëherë do të jetë tepër vonë, por sot nuk gjendemi në këtë fazë.

reset.jpg

Posted under: Education, News

Prodhimi i kriptovalutave do të tatohet duke filluar nga viti i ardhshëm

Posted on by Vial

Shqipëria pritet të tatojë procesin e prodhimit (mining) të kriptovalutave duke filluar nga viti i ardhshëm.

Ligji i ri i tatimit mbi të ardhurat, i hedhur për konsultim publik nga qeveria shqiptare, parashikon për herë të parë konceptin e të ardhurave nga mjetet virutale, përfshi kriptomonedhat dhe tatimin e tyre. Projektligji sjell për herë të parë përkufizimin e mjetit virtual, si “pasqyrim digjital të një vlere që mund të depozitohet, të tregtohet apo të transferohet në formë digjitale, si dhe që mund të përdoret për qëllime pagesash ose investimesh apo si mjet shkëmbimi, duke përfshirë por pa u kufizuar te kriptomonedha”.

Në këtë përkufizim nuk do të përfshihen pasqyrimet digjitale të monedhave të njohura zyrtarisht si të nxjerra ose të garantuara nga bankat qendrore ose një autoritet publik, të letrave me vlerë dhe mjeteve të tjera financiare që janë parashikuar nga legjislacioni në fuqi.

Ndërsa nxjerrja ose përfitimi i mjeteve virtuale (mining) sipas ligjit nënkupton “veprimtarinë e përdorimit të fuqisë kompjuterike të përdoruesve të sistemit për zgjidhjen e algoritmeve kriptografike, me qëllim konfirmimin e transaksioneve dhe përfitimin e mjeteve virtuale në këmbim, si dhe veprimtaria e përpunimit dhe konfirmimit të transaksioneve përmes investimit të një mjeti virtual të caktuar nga ana e përdoruesve të nyjeve kompjuterike pjesëmarrëse në këtë proces.

Të ardhurat nga nxjerrja/përfitimi i mjeteve virtuale dhe të ardhurat nga transaksionet me mjetet virtuale, sipas projektligjit, do të klasifikohen si të ardhura nga biznesi (në rastet kur këto aktivitete kanë një lidhje efektive me aktivitetin e biznesit) ose, në rastin kur nuk konsiderohen si të ardhura nga biznesi, do të klasifikohen si të ardhura nga investimi. Shkalla e tatimit do të përcaktohet mënyra e klasifikimit. Të ardhurat nga investimi sipas ligjit aktual dhe projektligjit të ri tatohen në masën 15%, me përjashtim të dividendëve. Të ardhurat nga biznesi kanë shkallë të ndryshme tatimi, në varësi të madhësisë dhe formës ligjore të biznesit.

Sipas projektligjit, mënyra e llogaritjes së vlerës së mjeteve virtuale do të përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.

Në vitin 2020, Shqipëria u bë një nga vendet e para që vendosi të rregullonte me ligj aktivitetin e tregtimit të kriptovalutave, por jo nxjerrjen apo përfitimin e tyre. Ky ndryshim ka krijuar një lloj paqartësie edhe mes organeve ligjzbatuese. Në vitet e fundit, disa aktivitete të prodhimit të kriptovalutave janë mbyllur dhe madje ndaj zotëruesve të tyre janë ngritur edhe akuza penale, megjithëse legjislacioni shqiptar nuk parashikon asnjë ndalim për të nxjerrë/përfituar kriptovaluta. Përcaktimet e parashikuara në ligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat, veç të tjerash, pritet ta formalizojnë këtë aktivitet. Nga momenti që procesi i krijimit të asetve virtuale përcaktohet shprehimisht si e ardhur e tatueshme, atëherë të gjitha subjektet që kryejnë një aktivitet të tillë duhet të regjistrohen si tatimpagues dhe të paguajnë detyrimin ligjor për vlerën e aseteve virtuale që do të krijojnë.

Megjithëse Shqipëria ka krijuar një kuadër ligjor për tregtimin e kriptomonedhave, në fakt deri më sot nuk ka asnjë subjekt të licencuar për këtë qëllim. Në rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së AMF për vitin 2021, Kuvendi kërkon që ky institucion të miratojë brenda vitit 2022, aktet rregullatore në zbatim të ligjit “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, si edhe të intensifikojë bashkëpunimin me autoritetet rregullatore ndërkombëtare për marrjen e eksperiencave më të mira për këtë treg.

Ligji hyri në fuqi në datën 1 shtator 2020, por zbatimi i plotë i tij ende nuk është i mundur, pikërisht për shkak të mungesës së të gjitha akteve të nevojshme nënligjore.

Vetëm në nëntor të vitit të kaluar, Bordi i AMF miratoi dy rregulloret e para në zbatim të këtij ligji, “Për mjaftueshmërinë e kapitalit dhe fondet e veta të subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë në tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” dhe “Për licencimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë si agjent i tokenit digjital”.

Këtë vit, AMF ka nxjerrë për konsultim edhe një projektrregullore të tretë, “Për licencimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë si bursë DLT”.

Rënia e tregut të kriptovalutave

Në vitet e fundit, kriptovalutat janë shndërruar në një fenomen të tregjeve financiare, që synojnë të thyejnë konceptin klasik të financës së centralizuar, duke e zëvendësuar atë me sistemet blockchain, një model i decentralizuar, që nuk kontrollohet apo garantohet nga një emetues i vetëm. Ajo mund të shpjegohet si një bazë të dhënash e decentralizuar që regjistron origjinën e një aseti dixhital. Të dhënat ruhen të inkriptuara në blloqe, të lidhura së bashku në një burim të vetëm dhe autentik.

Kriptomonedha e parë dhe më njohur ishte bitcoin, ndërsa suksesi i saj në vitet e fundit ka nxitur prodhimin dhe hedhjen në qarkullim të disa mijëra kriptomonedhave të tjera. Pas një faze lulëzimi, që e çoi kriptomonedhën më të famshme bitcoin deri sipër vlerës së 60 mijë dollarëve amerikanë, në muajt e fundit ky treg po përballet me një rënie të fortë. Bitcoin (që përfaqëson rreth një të tretën e gjithë vlerës së tregut të kriptomonedhave), aktualisht tregohet pranë vlerës së 20 mijë USD.

Rënia e tregut të kriptomonedhave lidhet me faktorë të ndryshëm, duke filluar nga rënia e tregjeve në përgjithësi, të lidhur me inflacionin e lartë dhe me shtrëngimin monetar të nisur nga bankat qendrore. Shumë ekspertë besojnë se ky treg ishte tejet i fryrë dhe i mbiçmuar, ndaj në momentin kur tregjet financiare u përballën me një cikël rënieje, ato ishin ndër asetet që e vuajtën më shumë këtë cikël. Rënia e vazhdueshme shkaktoi një efekt të zakonshëm të panikut tek investitorët, që solli shitje në vlera të mëdha dhe që e ulët edhe më shumë vlerën e këtyre aseteve. Për shembull, kriptovaluta Terra në maj pësoi një rënie të vlerës shumë pranë zeros, ndërsa në kohën e vet më të mirë kishte pausr një vlerë tregu prej rreth 50 miliardë USD. Rrokullisja e tregut të kriptove ka sjellë humbje të mëdha për shumë investitorë që ishin përfshirë nga euforia e këtyre instrumenteve, por megjithatë ky treg ende ka një vlerë prej më shumë se 1 trilionë USD.

Ekspertët e financës tradicionale vazhdojnë të mbajnë një qëndrim skeptik ndaj këtyre aseteve. Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, deklaroi në muajin maj se kriptomonedhat janë asetet që nuk kanë asnjë vlerë. Edhe për shkak të kësaj qasjeje, ekspozimi i institucioneve financiare klasike ndaj këtyre investimeve është në nivele të papërfillshme. E/ Shehu.

Ky artikull është shkëputur nga “Revista Monitor” – https://www.monitor.al/prodhimi-i-kriptovalutave-do-te-tatohet-duke-filluar-nga-viti-i-ardhshem/

kriptovaluta-1024x576.jpg

Posted under: Education, News