Bitcoin u rimëkëmb të mërkurën pas një periudhe shitjeje, e shkaktuar nga lajmet se prodhuesi i makinave elektrike Tesla Inc (TSLA.O) kishte shitur rreth 75% të zotërimeve të tij të monedhës dixhitale.
Shefi Ekzekutiv i Tesla, Elon Musk përmendi shqetësimet për "likuiditetin e përgjithshëm" të kompanisë së tij si arsyen e shitjes. Tesla shiti 936 milionë dollarë Bitcoin në tremujorin e dytë, një vit pasi kompania bleu 1.5 miliardë dollarë të kriptomonedhës në kulmin e rritjes dhe popullaritetit të saj masiv.
Musk ka qenë një mbështetës i hapur i kriptomonedhave. Deklaratat e tij për të ardhmen e kriptomonedhave dhe zbulimet në lidhje me pronësinë e tij të aseteve dixhitale shpesh rrisin çmimin e Dogecoin dhe Bitcoin të cilat janë dy nga monedhat e tij të preferuara. Musk tha se arsyeja kryesore për shitjen ishte pasiguria në lidhje me bllokimet për shkak të COVID-19 në Kinë, të cilat kanë krijuar sfida prodhimi për kompaninë.
"Ishte e rëndësishme për ne që të maksimizonim pozicionin tonë të parave cash," tha Musk. "Ne jemi sigurisht të hapur për të rritur zotërimet tona të bitcoin në të ardhmen, kështu që kjo nuk duhet të merret si një vendim direkt kundrejt bitcoin. Thjesht ne ishim të shqetësuar për likuiditetin e përgjithshëm për kompaninë." Musk shtoi se Tesla nuk shiti asnjë prej Dogecoin-it të saj, një kriptomonedhë e bazuar në memet që ai ka reklamuar. Për disa muaj Tesla pranoi Bitcoin si mënyrë pagese deri në Maj të 2021 kur e ndaloi këtë formë më pas. Musk është shprehur se kompania do të rifilloje pranimin e Bitcoin pasi të kryejë testimet e duhura për sasinë e energjisë së rinovueshme që duhet përdorur për të prodhuar monedhën.
Bitcoin ka qenë në një periudhë rimëkëmbjeje deri më këtë javë, pasi investitorët duken më optimistë për aftësinë e Rezervës Federale të SHBA për të qenë fitimtar ndaj inflacionit i cili është paraqitur si më i larti që prej katër dekadash.