Banorët e Kolorados tani mund të paguajnë taksat me anë të Bitcoin-it dhe kriptomonedhave të tjera, por vetëm përmes një llogarie PayPal.
Kolorado është bërë shteti i parë Amerikan që pranon Bitcoin-in për pagesat e taksave. Guvernatori Jared Polis njoftoi zbatimin e metodës së re të pagesës të hënën, në Denver Startup Week, sipas një raporti nga Axios Denver. Polis njoftoi nismën në fillim të këtij viti, duke u zotuar të pranojë pagesat e taksave në monedha dixhitale deri në fund të verës.
Qytetarët tani mund të përdorin kriptomonedhat për të paguar taksën mbi të ardhurat individuale, taksën mbi të ardhurat e biznesit, taksën mbi shitjet dhe përdorimin, taksën e largimit nga puna dhe akcizën e karburantit, sipas raportit.
Për shkak se Kolorado nuk mund të pranojë drejtpërdrejt kriptomonedha, Departamenti i të Ardhurave ka kontraktuar me PayPal për të ndërmjetësuar çdo transaksion dhe për të kthyer menjëherë monedhat dixhitale në dollarë amerikanë. Për momentin, kriptomonedhat që pranohen si pagesa për taksat e Kolorados janë vetëm Bitcoin, Bitcoin Cash, Ether dhe Litecoin, tha një zëdhënës i PayPal.
Tatimpaguesit do të përdorin PayPal, nga ku ata do të jenë në gjendje të zgjedhin kriptomonedhën e dëshiruar për të kryer pagesën, tha Carr. Asetet dixhitale të cilat do të mbulojnë detyrimin tatimor dhe tarifën përkatëse do të konvertohen në dollarë amerikanë përpara se të kalojnë në departamentin e të ardhurave. Gjithashtu, tatimpaguesit do të paguajnë një tarifë shtesë për të kryer detyrimet e tyre tatimore përmes monedhave dixhitale. Ata do të tarifohen me 1 $ për transaksion, plus 1,83% të shumës së pagesës.
Disa shtete të tjera të SHBA-së, si Florida dhe Ohio, kanë testuar kriptomonedhat për pagesën e taksave. Gjithashtu dhe në Amerikën e Jugut, Argjentina lajmëroi në prill se do të lejojë tatimpaguesit të paguajnë taksat me anë të kriptomonedhave.