Gjigantët e financave tradicionale JPMorgan dhe Visa po bashkohen për të përmirësuar përdorimin e Blockchain-eve të tyre privat Liink dhe B2B Connect për të lehtësuar pagesat ndërkufitare.
Sipas një raporti të 11 tetorit nga Forbes, Liink i JPMorgan është një rrjet i krijuar posaçërisht për transferime ndërkufitare dhe ofrohet nën iniciativën e bankës dhe pagesave Onyx. Onyx ofron një platformë për institucionet që të ndajnë informacionin financiar dhe të vërtetojnë transaksionet.
B2B Connect është një rrjet i ngjashëm me Liink i ndërtuar nga Visa për përdorim institucional dhe tani është integruar me Confirm, produkt i Onyx.
Confirm është një produkt i vërtetimit të informacionit të llogarisë dhe siguron që palët në transaksion të ofrojnë identitete të vërteta dhe informacion të saktë. Onyx pretendon se Confirm është në gjendje të verifikojë më shumë se 2 miliardë llogari bankare nga 3,500 institucione financiare.
Kreu global i Confirm, Alex Littleton shpjegoi në një deklaratë publike se "rritja e Confirm ndikohet shumë nga efektet e rrjetit", duke shtuar se, "Emërimi i Deutsche Bank si një anëtar themelues, duke vendosur gjithashtu ndërlidhjen me Blockchain-in e Visa B2B, do të përshpejtojë adoptimin tonë në shkallë globale.”
Nocioni i pagesave ndërkufitare ka qenë në qendër të vëmendjes këtë javë. Autoriteti Monetar i Singaporit (MAS) zbuloi të hënën se mund të përdorë teknologjinë Blockchain për të ofruar zgjidhje për çështjet aktuale të cilat përfshijnë shpejtësinë dhe kostot.
Ravi Menon, Drejtor Menaxhues i Autoritetit Monetar të Singaporit, vuri në dukje gjatë një fjalimi se gjendja aktuale e pagesave ndërkufitare "nuk është e përshtatshme për shekullin 21", gjithashtu ai shtoi se: “Është e ngadalshme, e kushtueshme dhe joefikase, duke u mbështetur në një rrjet arkaik të bankave korrespondente.”
Ai nënvizoi se zgjerimi i “rrjeteve të pagesave të bazuara në Blockchain në sektorin privat” mund të jetë një nga mënyrat e mundshme për ta zgjidhur këtë.
Krijuesit e XRP, Ripple Labs kanë bërë gjithashtu lëvizje me produktin e tyre përsa i përket pagesave ndërkufitare këtë javë. Më 11 tetor ata njoftuan partneritete me firmën e pagesave Lemonway dhe ofruesin e transfertave të parave Xbaht të cilët do të përdorin rrjetin ODL për të ofruar pagesa përmes kriptomonedhave për klientët në Francë, Tajlandë dhe Suedi.