Zyrtarët e Rezervës Federale (FED) në fillim të këtij muaji ranë dakord që rritje më të vogla të normave të interesit duhet të ndodhin së shpejti pasi të vlerësojnë ndikimin e politikës në ekonomi.
Gjatë takimit u vu në dukje rritja më e vogël e normave të interesit në vijim. Tregjet presin që FED të vendos të tërhiqet në rritjen e normave në 14 dhjetor me 0.5%, pas katër rritjeve të njëpasnjëshme prej 0.75%. Zyrtarët thanë se ata ende shohin pak shenja të uljes së inflacionit. Megjithatë, disa anëtarë të komitetit shprehën shqetësimin për rreziqet ndaj sistemit financiar nëse FED vazhdon të ecë përpara me të njëjtin ritëm agresiv.
Ritmi i lartë i rritjes së interesave nga FED duket se ka ndikuar në papunësinë në vend e cila u rrit më shumë (240,000) sec parashikohej (205,000) por, FED tha se kjo ishte dicka që ata e prisnin edhe nuk do të ishte faktor i rëndësishëm në vendimin për rritjen e ardhshme të interesave. "Një shumicë e konsiderueshme e pjesëmarrësve thanë se një ngadalësim i ritmit të rritjes së interesave ka të ngjarë të jetë më i përshtatshëm," thuhej në procesverbal. Pasiguritë e lidhura me efektet e veprimeve të politikës monetare në aktivitetin ekonomik dhe inflacionin ishin ndër arsyet e përmendura në lidhje me faktin se përse një vlerësim i tillë ishte i rëndësishëm.
Çfarë do të thotë kjo për kriptomonedhat?
Edhe pse ekonomia duket se ka treguar se po mbahet ‘fort’ përditësimet e fundit rreth inflacionit priten të japin më shumë konfirmime rreth rritjes së normave të interesit. Gjatë katër muajve të fundit inflacioni i lartë ka detyruar FED-in të rrisë normat e interesit me 0.75%, rritje e cila ka shkaktuar rënie në tregun e kriptomonedhave. Një lehtësim në rritjen e interesave nga 0.75% në 0.5% mund të shihet si pozitiv për tregun e kriptove. Megjithatë për momentin kjo mund të mos tregojë asgjë për kriptoasetet pasi frika që e ka ‘mbërthyer’ atë duket se është më e madhe se politikat që vendos FED. Investitorët janë duke pritur se çfarë do të ndodhë me kompaninë huadhënëse Genesis, e cila është në prag të falimentit. Pas kësaj ngjarje tregu i kriptove pritet të marrë një drejtim përfundimtar.