Në botën e financës, është praktikë standarde që bankat apo ofrues të tjerë të shërbimeve të ngjashme, të kenë nën kontroll asetet e përdoruesve. Pra, edhe pse përdoruesi është pronari ligjor i aseteve në llogari, do të duhet të ‘marrë leje’ paraprakisht nga banka që të tërheqë fondet e tij.
Bankat kanë të drejtën që ta refuzojnë kërkesën për tërheqje, pavarësisht interesit vetjak të klientit. Jo vetëm bankat, por edhe vetë qeveria mund të ndalojë transaksionet e tërheqjes, sic ndodhi në vitin 2015 në Greqi ku qeveria u përpoq të luftonte inflacionin, apo siç ka ndodhur kohët e fundit në shtete si Nigeria, Kina, etj. Me mbërritjen e sistemeve të decentralizuara të mbështetura në Blockchain, u bë e mundur për herë të parë në një shkallë më të gjerë ofrimi i shërbimeve financiare të vetkujdestarisë. Në modelin e vetkujdestarisë, klienti zotëron plotësisht asetet e tij dhe përdor ofruesin e shërbimit vetëm si një ndërmjetës për menaxhimin e aseteve.
Risqet e lidhura me portofolet e kujdestarisë të kriptomonedhave
Risqet janë të ngjashme me risqet që ndërmarrim kur depozitojmë paratë në bankë, apo kur përdorim ndërmjetës si PayPal, Revolut, etj. Thelbi është që përdoruesi NUK ka kontroll mbi fondet e tij. Së pari, përdoruesi është i ekspozuar ndaj riskut që sjell falimentimi i bursës. Nëse kjo ndodh, gjasat që përdoruesi të marrë mbrasht kriptomonedhat janë shumë të ulëta. Së dyti, duke qënë së marrja nën kujdestari e aseteve financiare është një aktivitet i rregulluar me ligj, bursat apo transaksionet i nënshtrohen rregullatorëve nën juridiksionin përkatës. Duke qenë se politikat rregullatore janë ende në ndryshim e sipër, përdoruesi nuk mund të jet kurrë i sigurt se çfarë vendoset lidhur me fondet që ndodhen në bursë dhe aksesin që klienti do ketë në to. Së fundmi, ekziston risku i hakimit. Duke qënë se bursat e kriptomonedhave zakonisht nuk janë të siguruara dhe të regjistruara offshore, mund të ndodh që fondet të humbin pa pasur mundësi të mëtejshme veprimi për t’i marrë mbrapsht ato.
Avantazhet e portofoleve të vetkujdestarisë
Së pari, përdoruesi nuk ka nevojë për të marrë leje për të kryer transferta, kushdo mund të shkarkojë aplikacionin dhe të fillojë të kryejë transaksione menjëhere. Së dyti, përdoruesi është i vetmi që ka akses në fondet e tij. Kjo e bën thuajse të pamundur për bankën/qeverinë/bursën që të kenë akses në fondet e përdoruesit apo të të pengojnë kryerjen e transaksioneve me to. Së treti, portofolet e vetkujdestarisë të japin akses direkt në Blockchain dhe mund ta përzgjedhi vet nivelin e komisionit që do paguaj (në varësi të shpejtësisë që do ta ekzekutoj transaksionin). Duke pasur akses direkt në Blockchain, ai ka mundësi të ndërveproj me kontratat e zgjuara dhe produktet e tjera të cilat të japin mundësinë për të fituar të ardhura pasive. Duhet pasur parasysh që në portofolet e vetkujdestarisë, përgjegjësia vetjake është më e lartë. Përdoruesi i vetëm që ka akses në fondet e tij, prandaj duhet ta menaxhoj portofolin me shumë kujdes duke ruajtur frazat sekrete dhe në raste të caktuara, edhe fjalëkalimet.
Si të dallosh nëse portofoli yt është një portofol vetkujdestar?
Një portofol vetkujdestar i jep përdoruesit (dhe vetëm atij) çelësin privat të lidhur me adresën e tij publike. Çelësi privat konsiston në 12-24 fjalë të gjeneruara automatikisht të cilat i jepen përdoruesit që në momentin e krijimit të portofolit. Nëse gjatë krijimit të portofolit nuk jepen këto fraza, atëherë portofolit tënd nuk është portofol vetkujdestar. Duke marrë parasysh se çfarë u përmend më sipër, përdoruesi mund të zgjedh nëse asetet do i mbajë në një portofol kujdesi të bursave ose në një portofol vetkujdestarisë.
Shembuj për të dy llojet e portofoleve: Portofolet e kujdestarisë: Binance, BitMex, Free Wallet, etj. Portofolet e vetkujdestarisë: Electrum, Ledger Nano X, Trezor, etj.