Binance largohet nga tregu kanadez. Rrjeti i Bitcoin-it mbingarkohet nga transaksionet që lidhen me Ordinal NFT-s ndërsa Bittrex paraqiti kërkesën për falimentim. A do të jetë Lihtenshtajni kombi i parë evropian që pranon Bitcoin si mjet pagese? Këto histori dhe më shumë, këtë javë në botën e kriptomonedhave.
Lihtenshtajni planifikon të pranojë Bitcoin-in si formë pagese
Kryeministri i Lihtenshtajnit Daniel Risch ka zbuluar planin e qeverisë së tij për të pranuar Bitcoin-in si pagesë për shërbimet shtetërore, duke e bërë Lihtenshtajnin vendin e parë evropian që e bën këtë. Risch tha se investimi i rezervave shtetërore në kripto është gjithashtu duke u konsideruar. Vendi pa borxhe mban rezerva deri në trefishin e buxhetit të tij vjetor prej 1 miliard dollarësh, i cili investohet kryesisht në letra me vlerë.
Binance largohet nga Kanadaja
Binance ka njoftuar largimin e saj nga Kanadaja, si pasojë e tensioneve rregullatore. Bursa më e madhe e kriptomonedhave në botë tha se udhëzimet e reja në lidhje me monedhat e qëndrueshme (stablecoins) dhe kufijtë ndaj investitorëve kanë nxitur daljen e tyre nga tregu kanadez. CEO i Binance, Changpeng Zhao, i cili gjithashtu u rrit në Kanada, e përshkroi situatën si "të paqëndrueshme".
Bittrex paraqiti kërkesën për falimentim
Bittrex ka paraqitur kërkesën për falimentim një muaj pas përfundimit të operacioneve të saj në SHBA. Të ardhurat vjetore të Bittrex kanë rënë me 97% duke vendosur bursën në vështirësi përball konkurencës së madhe në treg. Klientëve iu kërkua të tërhiqnin fondet e tyre përpara datës 30 Prill, por sipas dokumentave të paraqitura gjatë deklarimit të falimentimit, ka klientë të shumtë që kanë të paktën 1 milion dollarë në llogaritë e tyre.
PayPal zotëron asete dixhitale me vlerë 1 miliard dollarë
Gjigandi i pagesave, PayPal, në një dokument të paraqitur në SEC ka zbuluar se zotëron rreth 1 miliard dollarë në kriptomonedha. Kompania zbuloi se mban asetet e klientëve në Bitcoin, Ethereum, Bitcoin Cash dhe Litecoin.
Do Kwon lirohet me kusht
Një gjykatë malazeze ka vendosur që themeluesi i Terra-s, Do Kwon të lirohet nga burgu dhe të vihet nën mbikëqyrjen e policisë në një rezidencë lokale. Gjykata pranoi 400 mijë euro garanci, në pritje të rezultateve të gjykimit. Megjithatë, ai nuk do të lejohet të largohet nga banesa e tij e cila do të ruhet nga policia malazeze.
Teksas shton kriptomonedhat në ligjin e të drejtave të shtetit
Ligjvënësit e Teksasit kanë votuar për të shtuar kriptomonedhat në Ligjin e të Drejtave të shtetit, duke u dhënë individëve të drejtën për të përdorur monedhat dixhitale për tregti. Projektligji, i cili mbron liritë thelbësore si liria e fjalës dhe fenë tani përfshin gjithashtu një amendament që sqaron se individët kanë të drejtë të përdorin një mjet këmbimi për të cilin është rënë dakord reciprokisht siç janë monedhat dixhitale.
Bakkt heq 25 kriptomonedha nga Apex
Firma e aseteve dixhitale, Bakkt, ka hequr 25 nga 36 kriptomonedhat që ishin të listuara në platformën e saj tregtare, Apex Crypto. Vendimi ishte pjesë e procesit të rishikimit të listës së monedhave të rregullta që bazohen në interesat dhe udhëzimet rregullatore. Bakkt, në pronësi të Intercontinental Exchange, e cila zotëron gjithashtu Bursën e Nju Jorkut, bleu Apex Crypto vitin e kaluar për të fituar ekspozim në tregun e kriptomonedhave.
Rrjeti i Bitcoin-it mbingarkohet nga kërkesa për NFT
Mbingarkesa e rrjetit të Bitcoin-it bëri që Binance të ndalonte transaksionet disa herë këtë javë. Mempool kishte një radhë me më shumë se 400,000 transaksione, duke shkaktuar vonesa dhe tarifa të larta pasi emocioni rreth Ordinal NFT të cilat bazohen në rrjetin e Bitcoin-it është rritur. Komuniteti i zhvilluesve tani po bën thirrje për një "filtrim të padëshiruar" për të bërë ndryshime në kodin e Bitcoin-it, në mënyrë që t'i jepet fund tregtimit të tokenave BRC-20.
