Binance paralajmëron heqjen e monedhave të qëndrueshme për vendet e BE-së. SEC paralajmëron industrinë e kriptomonedhave. Një bursë kriptomonedhash e mbështetur nga influencuesit është shkatërruar në Hong Kong. Këto histori dhe më shumë, këtë javë në botën e kriptomonedhave.
Bitcoin shfaq shenja pozitive
Çmimi i Bitcoin-it arriti rreth 27,500 dollarë për herë të parë që nga gushti. Kjo rritje Bitcoin-it ndikoj edhe në rritjen e çmimeve të Altcoin-eve ku spikatën Solana, Bitcoin Cash dhe Litecoin. Kjo rritje çmimesh erdhi si pasojë e njoftimit nga Rezerva Federale e cila do të ndalonte rritjen e normave të interesit, duke inkurajuar investitorët.
Binance mund të heqë monedhat e qëndrueshme për vendet e BE-së
Binance po paralajmëron se të gjitha monedhat e qëndrueshme mund të hiqen nga lista për vendet e BE-së vitin e ardhshëm, përveç nëse pasiguritë rreth rregulloreve të BE-së në lidhje me asetet dixhitale mund të zgjidhen. Marina Parthuisot, Shefja Ligjore e Binance France, shprehu shqetësimet gjatë një seance dëgjimore të organizuar nga Autoriteti Bankar Evropian, duke sugjeruar që nëse asnjë projekt nuk siguron miratimin deri në momentin që MiCA hyn në fuqi, Binance mund të heqë nga lista të gjitha monedhat e qëndrueshme për vendet europiane më 30 qershor të vitit të ardhshëm.
Hong Kongu po heton bursën e kriptomonedhave
Policia e Hong Kongut po heton platformën e tregtimit të kriptomonedhave, JPEX, për një mashtrim i cili arrin një vlerë rreth 166 milion dollarë. Njëmbëdhjetë individë, duke përfshirë influencues të kriptove që mbështetën bursën, u arrestuan pas ankesave të 2,000 investitorëve. Rasti është një test i rëndësishëm për Hong Kongun, i cili aspiron të jetë një qendër e aseteve dixhitale, veçanërisht pasi rregullatori financiar zbuloi javën e kaluar se JPEX funksiononte pa licencë.
SEC: Nuk kemi mbaruar me kriptomonedhat
David Hirsch, kreu i agjencisë së zbatimit të kriptomonedhave të SEC bëri të ditur se më shumë veprime ligjore po vijnë për kriptomonedhat. Pavarësisht se e pranon se agjencisë i mungojnë burimet për të ndjekur gjithçka, SEC tashmë po ndjek çështje komplekse të kriptove në gjykatat federale. I pakënaqur për t'u fokusuar vetëm tek Coinbase dhe Binance, Hirsch synon të ngrejë akuza kundër bursave të tjera dhe platformave DeFi që shkelin rregulloret.
Galaxy Digital synon Evropën
Firma e kriptos me bazë në SHBA, Galaxy Digital synon të zgjerojë praninë e saj në Evropë, duke e quajtur atë një treg "kritikisht të rëndësishëm". Kompania ka emëruar një CEO të ri rajonal, Leon Marshall, i cili do të udhëheqë zgjerimin evropian të Galaxy Digital nga Londra. Marshall tha se përparimi i Bashkimit Evropian në rregulloret për kriptomonedhat ishte një faktor vendimtar në vendimin për zgjerim.
Paditen prindërit e themeluesit të FTX-it
Prindërit e themeluesit të FTX, përballen me një padi për marrjen e pahijshme të fondeve nga firma e kriptomonedhave përpara falimentimit të saj. Prindërit e Bankman-Fried morën një dhuratë prej 10 milion dollarësh nga Alameda Research dhe pronë në Bahamas me vlerë 16 milion dollarë. Drejtuesit e firmës së falimentuar pretendojnë se çifti mbajti miliona të transferuara në mënyrë mashtruese dhe injoroi sjelljen e keqe në kompani.
Ish-bankeri kreu mashtrime përmes kriptomonedhave
Një ish-bankier i Deutsche Bank, Rashawn Russell u deklarua fajtor për shpërdorim fondesh dhe përballet me 30 vite burg dhe me 1 milion e 500 mijë dollarë dëmshpërblim. Russell pretendoi në mënyrë të rreme se ishte një ndërmjetës i licencuar dhe premtoi të ardhura të larta nga një fond kriptomonedhe që ai supozohet se menaxhonte. Por në fakt, ai i përdori fondet për lojërat e fatit dhe shpenzimet personale, ndërsa dërgonte përditësime të rreme tek investitorët.
