Ja çfarë ndodhi këtë javë në botën e kriptomonedhave

Ja çfarë ndodhi këtë javë në botën e kriptomonedhave

Posted on January 15, 2024 by Vial

Miratohen aplikimet për Bitcoin ETF, por ky miratim nisi më pare me një lajm të rremë. Një përditësim i ri po diskutohet për Ethereum, ndërsa SEC ka shprehur pakënaqësitë rreth miratimit të Bitcoin ETF. Këto histori dhe më shumë, këtë javë në botën e kriptomonedhave.

Bitcoin shkruan histori

Të mërkurën, SEC e SHBA-së më në fund miratoi 11 aplikimet për Bitcoin ETF në një proces që filloi në 2013 kur binjakët Winklevoss kërkuan për herë të parë miratimin. Vëllimet e tregtimit tejkaluan 4 miliard dollarë në bursën e Nju Jorkut, Nasdaq dhe CBOE në ditën e parë të tregtimit. Bitcoin ETF i Grayscale përbënte gjysmën e atij vëllimi me 1 miliard dollar, që erdhi në orën e parë pas hapjes së tregjeve. iShares i Bitcoin ETF i BlackRock-ut mori pjesën më të madhe të gjysmës tjetër me tregtimin e tij të ditës së parë prej 1 miliard dollarësh.

Një lajmërim i rremë shkaktoi luhatje të mëdha në treg

Një ditë përpara se të shpalleshin miratimet, një lajmërim i rremë që rezultoi nga një hakim i llogarisë X të SEC deklaroi se të gjitha aplikimet për Bitcoin ETF ishin miratuar, duke shkaktuar trazira në tregun e kriptove. Llogaria u hakua përmes një numri telefoni të lidhur dhe ishte e mundur sepse llogaria nuk po përdorte vërtetimin me dy faktorë. Postimi u ekspozua shpejt si një mashtrim, por jo përpara se të likuidonte pozicione tregëtimi me vlerë në 90 milion dollarë.

Bitcoin bie ndërsa euforia përfundon

Pasi ETF-të e para filluan tregtimin në SHBA, Bitcoin kaloi për një kohë të shkurtër 49,000 dollarë për herë të parë që nga dhjetori 2021. Megjithatë, ditën tjetër, çmimi i Bitcoin ra nën 42,000 dollarë, duke rënë rreth10%.

SEC: Ne nuk e mbështesim Bitcoin-in

Kryetari i SEC, Gary Gensler, tregoi se miratimet e ETF u dhanë me ngurrim, duke theksuar se vendimi nuk pasqyron miratimin e vetë Bitcoin nga komisioni. Gensler tha se vendimi i gjykatës në aplikimin e Grayscale vitin e kaluar detyroi komisionin, por ai nuk sinjalizon mbështetje për Bitcoin ose ndonjë kripto-aset tjetër; një kategori që ai ende e sheh si spekulative dhe të paqëndrueshme.

Emetuesit e USDC aplikojnë për IPO

Circle, emetuesi i monedhës së qëndrueshme (stablecoin) USDC, ka bërë kërkesë për një IPO, për ta bërë publike kompaninë. IPO-ja pritet të bëhet pasi SEC të përfundojë procesin e rishikimit. Me një kapital tregu prej 25 miliard dollarësh, USDC mban vendin si monedha e dytë më e madhe e qëndrueshme pas Tether, e cila krenohet me një kapital tregu prej 95 miliard dollarësh.

Propozohen përmirësime të reja për Ethereum

Në një seancë “Ask Me Anything”, bashkëthemeluesi i Ethereum, Vitalik Buterin rekomandoi një rritje modeste prej 33% në kufirin e gazit për të rritur kapacitetin e rrjetit dhe për të zvogëluar shpenzimet e përdoruesve. Megjithatë, propozimi vjen me disa rreziqe, pasi blloqet më të mëdha mund të çojnë në rritjen e konsumit të energjisë, duke rritur potencialin për ndarje dhe braktisje të blloqeve.

X ndërpret vendosjen e NFT-ve si fotografi profili

Platforma e mediave sociale X ka ndërprerë shërbimin e saj të vendosjes së NFT-ve si fotografi  profili shërbim ky që lejonte abonentët të përdornin NFT-të e bazuara në Ethereum si foto profili. I njohur më parë si Twitter, X “përqafoi” idenë e NFT-ve në shtator 2021, duke zgjeruar shërbimet e tij NFT deri në tetor të vitit të ardhshëm me “NFT Tweet Tiles”.

Posted under: News